
Goditet një rast i veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, duke shpallur në kërkim tre persona.
Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, se tre shtetas transportonin në bashkëpunim, kundrejt pagesave, emigrantë, më qëllim që ata të kalonin ilegalisht kufirin, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, organizuan operacionin policor të koduar “Tranzit”.
Si rezultat i këtij operacioni u siguruan prova nga të cilat u identifikuan shtetasit me iniciale L. M., 32 vjeç, banues në Patos, A. T., 31 vjeç, banues në Fier dhe K. M., 56 vjeç, banues në Tiranë, si autorë të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” e kryer në bashkëpunim.
Të 3 shtetasit e mësipërm u shpallën në kërkim, pasi braktisën automjetet dhe u larguan duke përfituar nga kushtet e errësirës.
Sekuestrohen dy automjetet tip “Audi Q7” dhe “Volkswagen”, me të cilat transportoheshin 11 emigrantë të paligjshëm me origjinë nga India dhe Nepali.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.



