
Gjykata e Kukësit ka dënuar me 6 vite burg këngëtaren kosovare Fjolla Morina, e akuzuar për trafik armësh. Organi i akuzës kërkoi më herët dënimin e saj me shtatë vite burg, ndërsa sipas avokates Aurora Guska, Morina duhet të ndëshkohej me gjobë. Vendimin e dhënë këtë të enjte, mbrojtja ka thënë se do ta ankimojë, pasi këngëtarja ka patur vetëm një armë në çantë, edhe atë në mënyrë aksidentale.
Këngëtarja nga Kosova vijon të qëndrojë në arrati prej disa javësh, pasi u largua nga vendi i qendrimit në Kukës. Ndaj saj, gjykata kishte vendosur masën e sigurisë “arrest në shtëpi”.
Fjolla Morina u arrestua më 19 shtator 2020 në pikën kufitare të Morinës me armë me vete në makinë. Së bashku me të ishte i dashuri i saj dhe shoferi. Pak ditë më parë, Fjolla Morina i dha fund beqarisë, duke pranuar propozimin romantik të biznesmenit Besnik Syla në Maldive.



