Një aksident rrugor është regjistruar në rrugën Transballkanike, ku një automjet tip Toyota ka përplasur një grua rreth 75 vjeçe.
Sipas informacioneve paraprake, ngjarja ka ndodhur në një moment kur këmbësorja po kalonte vijat e bardha, ndërsa drejtuesi i automjetit nuk ka arritur të ndalojë në kohë, duke shkaktuar përplasjen.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe autoambulanca. E dëmtuara është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Policia ka nisur hetimet dhe po kryen verifikimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit.



