
Një person në Durrës nuk i është bindur thirrjes së policisë për të ndaluar, por ka vijuar ecjen, duke përplasur me makinën e tij pesë mjete të tjera.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:45 të ditës së sotme, në lagjen nr. 14, Durrës, ku efektivët e forcë s “Shqiponja”, gjatë patrullimit, i kanë bërë shenjë ndalimi drejtuesit të një automjeti që po lëvizte me shpejtësi, por ai nuk i është bindur urdhrit të policisë dhe ka vijuar lëvizjen.
Gjatë largimit, drejtuesi i automjetit, R. Xh., ka përplasur 5 automjete të parkuara, duke shkaktuar vetëm dëme materiale.
Më pas, ai ka braktisur automjetin dhe është larguar me vrap nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e policisë janë vënë menjëherë në ndjekje të tij dhe po kryejnë kontrolle intensive në zonë për lokalizimin dhe kapjen.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se shtetasi R. Xh. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Mashtrimi”.



