
Një atentat ka ndodhur këtë të hënë në qytetin bregdetar të Vlorës, objektiv i të cilit ishte shtetasi Bledar Birçaj.
Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Hajro Çakërri”, ndërsa Birçaj ishte duke lëvizur me mjetin e tij “BMVV X5” në drejtim të cilit janë qëlluar mbi 10 plumba. 7 prej tyre kanë prekur Birçaj, i cili ndërroi jetë teksa transportohej për në spital. Në mjetin e viktimës ka qenë edhe një tjetër person, i cili fatmirësisht u ka shpëtuar plumbave.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë forcat e policisë, duke nisur punën për identifikimin e autorëve dhe mbledhjen e provave në vendin e krimit. Po ashtu, janë ngritur pika kontrolli në segmentet kryesore të qytetit.
Ndërkohë, Bledar Birçaj nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Disa vite më parë, bashkë me vëllanë e tij, Birçaj është akuzuar se dhunuan juristin e Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Vlorë. Për këtë ngjarje, prokuroria nisi procedim penal në gjendje të lirë për dy vëllezërit.
Më tej, në janar të 2011-ës ai u arrestua në Vlorë si i dyshuar për vrasje. Në prill masa ndaj tij ndryshoi nga Gjykata e Vlorës nga “arrest në burg” me masën e sigurimit “detyrim paraqitje në policinë gjyqësore” dhe masën detyruese “ndalim të daljes jashtë shtetit” deri në përfundim të hetimeve.
Në vijim të kësaj çështje në ngarkim të Bledar Birçaj u vendos pushimi i hetimit penal, duke u lënë i lirë.



