Pesë muaj nga përplasja e parë mes GJKKO dhe SPAK gjërat ndryshuan, Ilir Beqaj u vu në hetim për ‘shpërdorim detyre’ për aferën ‘Sterilizimi’, por ky hetim sërish sipas gjykatës nuk ishte i plotë. Teksa miratonte masat e detyrim paraqitje dhe bllokim pasaporte për Beqajn gjyqtari Bani kërkoi nga SPAK të hetojë ish-ministrin dhe ta hetojë për akuza korrupsioni.
Do të mbetet ende mister n.q.s. SPAK ndryshoi qasje ndaj statusit penal të ish-ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj prej vendimit të gjyqtarit Erjon Bani dhënë më 23.6.2023 apo dy prokurorët Ervin Kondili dhe Eneid Nakuçi e kishin pjesë të hetimeve të tyre vijuese.
Ajo ç’ ka nuk ndryshoi ishte sërish qëndrimi i kundërt i dy kolonave të pushtetit të drejtësisë. Prokurorisë që mbron interesat e shtetit në një proces gjyqësor dhe gjykatës që nëpërmjet vendimit jep drejtësi, dënimet e merituara apo pafajësitë.
Dy prokurorët vendosën që Beqaj ta marrin të pandehur me akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe me masën e sigurisë detyrim paraqitje dhe bllokim të pasaportës për të dalë jashtë vendit.
Këto dy masa sigurie të miratuara edhe nga gjykata pas kërkesës së SPAK u ekzekutuan më 17 nëntor pak orë pasi Beqaj ishte kthyer në Shqipëri siç edhe ai vetë e deklaron në statusin në Facebook të datës 18 nëntor.
“Edhe pse kam rezerva serioze lidhur me disa aspekte të vendimit në fjalë dhe avokatët e mi, në identifikim të një sërë shkeljeve procedurale dhe materiale që në këtë fazë të procesit më kanë sugjeruar ankimimin e këtij vendimi, unë kam vendosur të mos e ankimoj këtë vendim dhe ti nënshtrohem me vullnet të plotë kërkesave dhe garancive që ky proces hetimor kërkon për zhvillimin e tij normal dhe të rregullt. Disponibiliteti im karshi zbardhjes sa më parë të së vërtetës së kësaj çështje shkon përtej kufizimeve të lirive të mia vetjake dhe madje përtej një afati normal kohor, tashmë disa vjeçar. Përpos kësaj, për të garantuar integritetin e procesit hetimor dhe për të shmangur çdo keqinterpretim të mundshëm të ndikimit tim si zyrtar në këtë proces, kam vlerësuar gjithashtu që të ndërpres angazhimin tim aktual si drejtues i Agjencisë Shtetërore të Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës”.
Që në faqen e parë të vendimit të dytë të gjykatës së posaçme ka përplasje mes GJKKO dhe SPAK. Nëse fillimisht gjykata orientoi prokurorinë të hetonte Beqajn për veprat penale sipas neneve 245 dhe 260, rezulton se SPAK ka kryer hetimet sipas nenit 248 të kodit penal që përket vepra e “shpërdorimit të detyrës” me marzh dënimi deri në 7 vite burg.
Në vendimin prej 303 faqe vepra penale e hetuar nuk është e vetmja përplasje mes GJKKO dhe SPAK. Gjykatësi Bani shprehet se masa e sigurisë e duhura për ish ministrin ishte ajo e arrestit në burg, por ai s’mund ta japë pasi kërkesa e prokurorisë është ajo e detyrim paraqitje.
“Gjykata vlerëson se për personin nën I.B. masa më e përshtatshme që arrin të sigurojë nevojat e procedimit penal të nisur, për të garantuar mospërsëritjen e së njëjtës vepër penale, largimin e tij, marrjen dhe vërtetësinë e provave si dhe për të garantuar ekzekutimin e dënimit me burgim që mund të caktojë gjykata e themelit në rastin konkret, për shkak të rrezikshmërisë së veçantë të veprave dhe autorit në rastin konkret, është ajo e “Arrestit në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale. Këtu duhet theksuar fakti se cilësimi juridik i faktit penal i bërë nga prokurori dhe i sjellë për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak, është i gabuar. Për arsyet e cituara në paragrafët 169.25.4, 169.25.4.1 dhe 169.25.4.1 të këtij vendim”.
E teksa në vendimin e parë gjykatësi orientonte hetimet për vepra sipas nenit 245 dhe 260, në vendimin e zbardhur për mediat në formë të anonimizuar më datë 20.11.2023 arsyes se përse kërkohet arrest për ish Ministrin.
Gjyqtari i shton edhe veprën penale të falsifikimit të formularëve vulave e stampave.
Gjykata çmon se në respektim të parimit të ligjshmërisë dhe cilësimit të drejtë të faktit penale të sjellë nga prokuroria për vlerësim përpara gjyqtarit të hetimit paraprak ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se personi nën hetim I.B. krahas figurës së veprës penale “Shpërdorim i detyrës” i kryer në bashkëpunim parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal, ka konsumuar edhe elementët e figurës së veprës penale të “Falsifikimit të vulave, stampave dhe formularëve” nga personi që ka për detyrë hartimin e tyre, parashikuar nga neni 190 paragrafi i tretë i Kodit Penal. Kjo bën që “rëndësia e faktit” dhe “sanksionit që mundë të caktohet” parashikuar nga neni 229 i K.Pr.Penale për personin nën hetim I.B. të jetë më madhe nga ajo e vlerësuar nga prokuroria”.



