Detaje të reja kanë dalë nga ekzekutimi i ndodhur mbrëmjen e kësaj të marte në qytetin e Tepelenës, ku viktimë mbëti shtetasi Çajup Selimi. Sipas burimeve nga policia, mësohet se në muajin korrik të vitit 2018, 45-vjeçari që rezulton pronar i një biznesi në Tepelenë, është dhunuar me mjete të forta nga dy persona në qendër të qytetit.
Atë kohë, Selimi tregonte se e kishin sulmuar me leva hekuri dhe e kishin kërcënuar me thika e goditur me grushta, për arsye të paqarta. Çajupi dhe të afërmit e tij thoshin se kjo është një situatë e përsëritur, pasi ishte hera e katërt që Çajup Selimi sulmohej në një mjedis publik. Për ngjarjen e ndodhur në 2018-ën, u ndalua Risiano Abedini, 27 vjeç, nga Tepelena. Policia konfirmoi në atë kohë se ngjarja ndodhi për motive të dobëta.
Familja Selimi dhe Abedini menaxhojnë biznese me profil të ngjashëm. Të dyja palët janë konkurrentë në biznes, pasi tregtojnë materiale ndërtimi krah njëri-tjetrit, prej vitesh në Tepelenë. Ndërsa, nuk dihet ende nëse ngjarja e ndodhur mbrëmjen e sotme lidhet me ngjarjen e ndodhur tre vite më parë ose si pasojë e konkurencës në biznes.



