
Nën akuzën e kanosjes me thikë dhe sëpatë të një infermieri, një person është vënë në prangat e policisë së Maliqit.
Si i dyshuar për ngjarjen u arrestua në flagrancë Robert Gjoni, 47 vjeç, banues në fshatin Klocë, Maliq, për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
47-vjeçari ditën e djeshme, në fshatin Klocë, në ambientet e brendshme të ambulancës të këtij fshati, ka kanosur për shkak të detyrës, me një mjet të mprehtë dhe një send të fortë, shtetasin B. R., me detyrë infermier.
Gjatë kontrollit fizik që shërbimet e policisë ushtruan ndaj Gjonit, i gjetën një thikë, një sëpatë dhe një levë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Ndaj të dyshuarit hetimet janë në vijim, ndërkohë që materialet i kaluan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.



