
Pas mbylljes së hetimeve dhe komunikimit të akuzës, dosja penale në ngarkim të portugezit Ruben Saraiva, i marrë i pandehur për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, është dërguar për gjykim në Gjykatën e Lezhës.
Dosja është veçuar nga pesë personat e tjerë, të cilët nuk janë ekstraduar ende nga Britania e Madhe.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Renis Sheshi, dhe me 26 shkurt është caktuar që të zhvillohet seanca e parë paraprake gjyqësore.
Ndaj 30-vjeçarit portugez, prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat "Vrasje për gjakmarrje" e kryer në bashkëpunim dhe "Armëbjatje pa leje", dhe tashmë do të jetë Gjykata e cila do të vendosë, nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim themeli apo do të kthehet për plotësim hetimesh.
Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare.
Prej asaj kohe ai po qëndron në paraburgimin e Tiranës, në pritje për tu përballur me drejtësinë shqiptare.
Për krimin e ndodhur më 19 Prill të vitit 2023 në Shëngjin, të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan si dhe i dyshuari Edmond Haxhia, si organizator dhe porositës i vrasjes.



