Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku priti sot në takim ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Tayyar Kagan Atay.
Në fokus të takimit ishin vlerësimi i bashkëpunimit të deritanishëm, si dhe zgjerimi e forcimi i bashkëpunimit në të ardhmen, ndërmjet Policisë shqiptare dhe asaj turke, në fusha me interes të përbashkët dhe veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, krimeve kibernetike dhe terrorizmit.
Kryepolici e falenderoi ambasadorin për vizitën dhe e njohu atë me prioritetet që ka për të reformuar Policinë e Shtetit, me qëllim vendosjen e standardeve të reja, ndryshimin e metodologjisë së punës, krijimin e një qasjeje të re në raport me qytetarët dhe ndjekjen e problematikave dhe shqetësimeve të tyre.
Ambasadori Atay e uroi Rrumbullakun për detyrën dhe i ofroi atij mbështetjen e plotë të Policisë turke dhe të ambasadës së Turqisë në Tiranë.
Ndër të tjera, ambasadori turk i dorëzoi Drejtorit të Përgjithshëm edhe një letër urimi nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Turqisë.



