
Një person është arrestuar nga policia e Fierit pasi ka tentuar t’i vërë flakën një lokali në lagjen “Apolonia”.
40-vjeçari, Altion Sulejmanaj ka pasur një konflikt me pronarin e lokalit dhe për pasojë pas mesnatës ka hedhur një sasi të vogël lënde djegëse. Si rrjedhojë është djegur pjesa hyrëse e lokalit në pronësi të S.M.
Ende nuk dihet se cila ka qenë arsyeja e konfliktit mes pronarit të lokalit dhe Altion Sulejmanajt. Pas informacioneve për zjarrin e vënë, shërbimet zjarrfikëse kanë arritur në vendngjarje dhe kanë shuar flakët.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan shtetasin Altion Sulejmanaj, banues në Fier, për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr".
Ndërkohë priten të kryhen veprime të tjera hetimore për zbardhjen e plotë të konfliktit që çoi në zjarrvënien e lokalit. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.



