
Policia e Tiranës ka arrestuar rojën e sigurisë së filialit të OTP Bank, që u grabit një ditë më parë.
Ai akuzohet se nuk ka ndërhyrë në momentin e grabitjes për të neutralizuar autorin.
Mësohet se grabitësi ka arritur t’i marrë rreth 10 mijë paund një qytetareje, e cila ndodhej brenda bankës për të depozituar shumën në fjalë.
Po ashtu, ai ka marrë edhe një shumë parash nga arka e bankës.
Ende nuk është bërë e ditur shuma totale e grabitur, ndërsa autori vijon të jetë në arrati.
Policia po vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi Tiranë
Vijojnë hetimet për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”.
Arrestohet roja i bankës, i dyshuar për shpërdorim të detyrës.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen e vjedhjes së kryer dje, në një bankë në rrugën “Sulejman Delvina”, arrestuan në flagrancë shtetasin F. Ç., 60 vjeç, punonjës i një shoqërie private të sigurisë fizike, i ngarkuar për ruajtjen e bankës.
Nga veprimet hetimore të deritanishme dyshohet se shtetasi F. Ç. është larguar përkohësisht gjatë orarit të shërbimit dhe nuk ka marrë masat e nevojshme për sigurimin e ambienteve të brendshme të bankës.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit.



