Komisariati i Policisë Gjirokastër ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Arka”, duke vënë në pranga një 19-vjeçar të akuzuar për vjedhje të përsëritur.
I riu ka rënë në prangat e uniformave blu vetëm një javë pasi kishte përfunduar një dënim të mëparshëm me burgim, po për veprën penale të vjedhjes. Autori i dyshuar i ngjarjeve është identifikuar si shtetasi K. Ll., 19 vjeç, banues në Gjirokastër.
Operacioni policor u vu në lëvizje pas një kallëzimi të bërë nga administratori i një objekti kulti, i cili ndodhet në lagjen "Partizani" të qytetit të Gjirokastrës.
Sipas dëshmisë dhe denoncimit të administratorit, gjatë mbrëmjeve të datave 8 dhe 9 nëntor, persona të paidentifikuar kishin thyer dhe vjedhur shuma parash direkt nga arka e këtij objekti kulti.
Pas marrjes së këtij njoftimi, shërbimet e policisë nisën veprimet operative, duke bërë të mundur identifikimin, lokalizimin dhe më pas arrestimin në flagrancë të 19-vjeçarit K. Ll. Ndërkohë, strukturat hetimore po vijojnë punën për të zbardhur dhe dokumentuar plotësisht me prova ligjore vjedhje të tjera që mund të ketë kryer ky shtetas në këtë zonë.
Materialet procedurale për këtë rast i janë referuar zyrtarisht Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme ligjore.
