
Policia e Kavajës ka njoftuar arrestimin e një 30-vjeçari, të dyshuar për vjedhje në seri.
Mësohet se i riu ishte autori i gjashtë vjedhjeve të ndodhura gjatë periudhës gusht-shtator.
Ai ka vjedhur dy biçikleta, dy banesa si dhe dy biznese, ndërkohë që po punohet nëse ka lidhje me vjedhje të tjera që mund të kenë ndodhur në Kavajë.
Njoftimi i Policisë:
Kavajë Finalizohet operacioni policor i koduar “The last", për zbardhjen e 6 vjedhjeve të ndodhura në qytetin e Kavajës, gjatë periudhës gusht 2022-janar 2023. Vodhi në mënyrë të përsëritur, në banesa dhe në biznese të ndryshme, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 30-vjeçari. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, nga kryerja e veprimeve hetimore profesionale, të iniciuara nga denoncimet e qytetarëve të ndryshëm, për raste vjedhjesh, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “The last”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:
- Xh. K., 30 vjeç, banues në Kavajë, për veprën penale "Vjedhja".
Nga tërësia e veprimeve hetimore, rezultoi se në kohë dhe në vende të ndryshme, 30-vjeçari ka kryer një sërë vjedhjesh, 6 prej të cilave janë zbardhur dhe dokumentuar me prova ligjore. Prej muajit gusht 2022 deri në momentin që u kap në flagrancë, nga shërbimet e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, ky shtetas ka vjedhur 2 biçikleta, si dhe sende të ndryshme në 2 banesa dhe në 2 biznese, në Kavajë. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, për veprime të mëtejshme.



