Dy muaj hetime nga policia e Tiranës çuan në zbulimin e një apartamenti të përshtatur si call center, ku mashtroheshin shtetas të huaj, përmes telefonit, për të investuar në bursa fiktive, duke vënë në pranga organizatorin e kësaj veprimtarie.
Në kuadër të operacionit të koduar “Location 2” u arrestua në flagrancë L. Xh., 37 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi R. M., 37 vjeç.
Gjithashtu nisi procedimi penal për shtetasit D. O., 19 vjeç, J. B., 20 vjeç, R. L., 26 vjeç, J. D., 24 vjeçe dhe E. N., 34 vjeçe.
Gjatë operacionit, shërbimet e policisë kanë ndërhyrë në apartamentin në rrugën “Panorama”, që ishte përshtatur si call center, ku kanë kapur në flagrancë shtetasi L. Xh. dhe 5 operatorë, të cilët mashtronin shtetas të huaj, për të investuar në bursa fiktive.
Nga hetimet rezultoi se apartamenti ishte marrë me qira nga shtetasi R. M., me qëllimin për ta përdorur për këtë veprimtari të kundërligjshme. Aktualisht Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.



