
Nga sot në akset rrugore në vend është vendosur pajisja inteligjente, e cila monitoron 24/7 lëvizjen e mjeteve në rrugë dhe në kohë reale përcjell të dhënat në sallën operative të qarkullimit rrugor, ku bëhet verifikimi dhe printimi i gjobave për ndëshkimin e kundërvajtësve, nëse i kanë shkelur ato.
Drejtori i Policisë Rrugore, Dhimitraq Ziu, tha sot në një prononcim për mediat se “radari me parametra të cilësisë së fundit është i certifikuar nga organi i Komitetit Europian, nga Drejtoria e Përgjithshme e Teknologjisë, janë bërë edhe procedura standarde dhe duke filluar që sot do të fillojë nga puna”.
“Është pajisje moderne e prodhuar në vitet 2020 , përdoret në mjet Volkswagen e vitit të prodhimit 2021, ka dy kamera, katër radar, kap shpejtësinë, rripin e sigurimit, telefonin mund të përdoret në autostradë, kap korsitë 3 para dhe 3 në ardhje nga mbrapa, si dhe identifikon gjininë e personit, drejtuesin e mjetit dhe targën”, informoi Ziu.
Sipas tij, është pajisje që identifikon kundërvajtësin, dhe jo personat që janë në mjet, ndëshkon vetëm personat që kanë lidhje me shkeljet. Ziu theksoi se çdo shkelje e normave të shpejtësisë mbi 90 km në orë do të ndëshkohet. Gjithashtu do të ndëshkohen edhe ata që nuk kanë vënë rripin.
“Kjo pajisje është e dedikuar të vendoset vetëm në mjet. Bëhet kolaudimi i mjetit dhe i pajisjes, në varësi të sinjalistikës. Për shembull këtu jemi me 90 km/h dhe ajo vendoset me 90 km/h dhe çdo shkelje e normave të lejuara mbi këtë shpejtësi konsiderohet shkelje dhe i kap në mënyrë automatike, kap shpejtësinë, rripin dhe celularin”, sqaroi Ziu.
Drejtori i Policisë Rrugore Dhimitraq Ziu vuri në dukje se “ta ketë bindje çdo shofer, që kjo pajisje nuk pranon ndërhyrje. Gjoba kalon në mënyrë automatike dhe operatori bën printimin, pasi ato janë të identifikuara, si shpejtësia, si rripi, si telefoni. Pajisja punon edhe në kushtet e errësirës”.
“Kemi të dhënat e dosjes së çdo drejtuesi mjeti, i cili ka vendosur adresën e banimit. Kjo pajisje dhe procedura e punës, përcakton qartë rregullat. Nga momenti i konstatimit të shkeljes dhe të gjitha shkeljet që do të jenë me masë të tërheqjes së lejes së drejtimit, do të shpallen nën alert”, shpjegoi Ziu.



