
Policia e Durrësit ka bërë me dije se janë goditur 2 raste të tjera të falsifikimit të tamponëve “COVID-19”, kundrejt përfitimit.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar në flagrancë pesë shtetas, një shtetase është proceduar penalisht dhe një tjetër është shpallur në kërkim.
Në vijim të veprimeve nga specialistët për hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, u arrestuan në flagrancë shtetasit: V. B., 65 vjeçe, banuese në Durrës, për veprën penale “Mashtrimi”, e punësuar pranë një agjencie udhëtimi, në lagjen nr.4., Durrës; A. C., 24 vjeçe, për veprën penale “Mashtrimi”, B. M., 25 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, A. D., 23 vjeç, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Mashtrimi”, të 3 banues në Durrës dhe të punësuar pranë një laboratori në lagjen nr.4, Durrës.
Këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë të punësuar pranë agjencisë turistike dhe laboratorit, me anë të falsifikimit dhe mashtrimit, pajisnin qytetarët të cilët do udhëtonin drejt vendeve të BE-së, me testime “Antigen Rapid”, kundrejt përfitimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan njësi kompjuterike të 2 agjencive, tamponë për kryerjen e testeve dhe disa fletë me përgjigje të testeve të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.



