Zjarret në vend/ MM: Në 24 orë raportohen 24 vatra, katër mbeten ende aktive

Zjarret në vend/ MM: Në 24 orë raportohen 24 vatra, katër mbeten ende aktive

Ministria e Mbrojtjes ka publikuar të dhënat e përditësuara lidhur me situatën e zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit.
Gjatë këtij periudhe, janë raportuar 24 vatra zjarri në të gjithë territorin e Shqipërisë.

 Aktualisht, katër prej tyre mbeten aktive në qarqet Dibër, Fier dhe Vlorë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në sipërfaqe të mëdha toke.
Sipas raportimeve nga Emergjencat Civile, deri tani janë djegur mbi 154 hektarë me shkurre dhe bimësi, si dhe më shumë se 3,000 rrënjë ullinj.
Në këtë kontekst, forcat zjarrfikëse dhe grupet e emergjencës po vijojnë përpjekjet për shuarjen e flakëve dhe parandalimin e përhapjes së zjarreve në zona të tjera të rrezikuara.

Në terren janë angazhuar 57 mjete zjarrfikëse, 538 forca operacionale, si dhe 2 helikopterë që ndërhynë nga ajri ditën e djeshme. 

Ndërkohë, që prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm, 50 trupa të Forcave të Armatosura dhe pesë automjete zjarrfikëse me personel janë vendosur në zonat më problematike.

Zjarri më i përhapur vijon të jetë në Parkun Kombëtar të Lurës në Dibër, ku dy vatra janë ende aktive – njëra në afërsi të Gurë Lurës dhe tjetra pranë kanalit të ujit të HEC-it, e cila po monitorohet. Një vatër tjetër në krahun e Malit të Dejës po përhapet me shpejtësi drejt bashkisë Mat.

Në Bulqizë, në zonën e Malit të Peladhisë, flakët kanë përfshirë rreth 32 hektarë, ndërsa një vatër aktive mbi fshatin Vlash po mbahet nën kontroll.

Në Fier dhe Mallakastër, zjarri në zonën Drenovë–Gorishovë vijon të jetë sfidues për shkak të erës dhe terrenit të thyer, duke rrezikuar ullishtet e fshatit Gorishovë.

Në Borsh të Himarës, flakët që përfshinë një sipërfaqe pyjore nuk janë izoluar plotësisht, megjithëse puna vijon me mbështetjen e ushtrisë.

Instituti i Gjeoshkencave njofton se nuk priten reshje, ndërsa rreziku për zjarre mbetet i lartë në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër. Strukturat e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin ndezjen e zjarreve dhe të raportojnë çdo vatër pranë shërbimeve emergjente në numrin 112. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy