Dy të rinj janë arrestuar nga Policia e Tiranës, pas një operacioni antidrogë të zhvilluar nga Komisariati numër 2. Sipas Policisë, është seakestruar një sasi lëndë narkotike e llojit kokainë, ndërsa në gjendje të lirë janë proceduar edhe dy persona të tjerë.
Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve E. M., 26 vjeç dhe M. Gj., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë.
“Shërbimet e Komisariatit Nr. 2, bazuar në informacionet e marra se në një bar-bilardo kryhej aktiviteti i kundërligjshëm kriminal në fushën e shitjes së lëndëve narkotike dhe organizimi i lojërave të palejuara, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë të këtij aktiviteti. Si rezultat, gjatë kontrollit të bar-bilardos në pronësi të shtetasit E. M. u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 37 gramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një sasi lënde e dyshuar kanabis, një valixhe metalike me fisha (çipsa), 2 aparate celular dhe disa qese plastike që shërbenin për ambalazhimin e lëndëve narkotike”, njoftoi policia.
Në vijim të veprimeve u procedua në gjendje të lirë edhe shtetasi F. C., 20 vjeç, pasi u kap me një sasi të vogël lënde narkotike kanabis, të cilën e kishte blerë tek shtetasi M. Gj., i cili ishte i pranishëm në bar-bilardo.



