
Ndërsa Shqipëria po përballet me pasojat që la tërmeti i mëngjesit të së martës dhe lëkundje të tjera që vijojnë pa ndalur, në Itali, sizmologët po analizojnë fenomenin.
Sizmologu Alessandro Amato, shefi i Qendrës së Alarmeve për Cunami në Institutin Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë, në një intervistë për “Corriere della Sera” thotë se tërmeti i së martës kishte potencialin për të shkaktuar shumë më tepër viktima.
“Me një magnitudë të tillë mund të ishin 300 viktima. Nuk mund të themi se “kaloi mirë me kaq”,por është e sigurt që mund të shkonte shumë më keq”, ka thënë ai.
A ishte i pritshëm një tërmet i tillë?
Zona është aktive prej dy muajsh. Është i njëjti rast me tërmetin e gushtit në Amatrice, me magnitudë 6, që u pasua nga ai i 30 tetorit me magnitudë 6.5 (njësoj si ai dje në Durrës). Apeninet dhe Alpet Dinarike janë dy anë të së njëjtës pllakë, pllakës së Adriatikut, një tërësi blloqesh gjeologjike që spostohen drejt veriut dhe rrotullohen në sens antiorar.
Pse nuk pati cunami?
Shtatë minuta pas tërmetit, në Qendrën e Alarmeve të Cunamit lëshuam një alarm, por më pas pati anomali dhe e anuluam. Për më tepër, epiqendra ishte nën tokë dhe jo në det.
Çfarë parashikohet?
Statistikat thonë se do të ketë pasgoditje. Ditën e martë, lëkundja më e fortë u pasua nga 250 të tjera. Lëkundjet do të vijojnë për muaj të tërë, nëse jo për vite. Është normale, të tilla pas tërmetit të Norcias po regjistrojmë ende. Ato do të zvogëlohen në numër dhe magnitudë përgjatë kohës, por nuk përjashtohet të ketë edhe një më të fortë.



