Në kuadër të hetimeve për dosjen “AKSHI”, kontabilistja Arlinda Merko ka zbuluar se si u faturuan lekët e AKSHI-t për çokollata, rrëfim që zbardhet nga emisioni “FactCheck” në MCN TV.
Kam punuar me mbajtjen e kontabilitetit të shoqërisë ‘Megadistribution’ sh.p.k. dhe kam dijeni për faturimet ndërmjet kësaj shoqërie me ‘Fastech’ sh.p.k. dhe ‘Soft & Solution’ sh.p.k. Sqaroj se Z. Andis Papa ka ardhur në zyrën time së bashku me Z. Aurel Cenolli, Drejtor në Drejtorinë e Tatimeve Rajonale Tiranë, dhe më kanë kërkuar të bëhen blerje të produkteve të ‘Megadistribution’ sh.p.k., jo nëpërmjet shkëmbimit të mallit, por përmes faturimeve nga ‘Megadistribution’ sh.p.k. tek shoqëria ‘Fastech’ sh.p.k.
Interesi i ‘Fastech’ sh.p.k. ishte që, përmes këtyre blerjeve, të rritej niveli i shpenzimeve të kompanisë me qëllim që fitimet që realizonte nga aktiviteti i saj të tatoheshin sa më pak nëpërmjet rritjes së shpenzimeve. Nga ana tjetër, ‘Megadistribution’ sh.p.k. kishte interes që shitjet pa faturë në treg të mbuloheshin nga shitjet e këtyre faturave fiskale, duke bërë të mundur balancimin me importet e subjektit. Deklaroj se kjo është diskutuar ndërmjet Z. Bedri Rryta dhe Z. Andis Papa.
Nuk më kujtohet që Znj. Arjola Koromani të ketë ardhur në zyrë dhe se faturat janë prerë në emër të shoqërisë ‘Soft & Solution’. Mendoj se emrin e këtij subjekti ma ka dhënë Z. Andis Papa, si dhe sqaroj se kam pasur edhe debate me Znj. Koromani për mënyrën e deklarimit të disa faturave.
Z. Ermal Beqiri dhe Z. Andis Papa kanë takuar më pas Z. Bedri Rryta dhe se kam qenë edhe unë prezent, pasi jam kërkuar nga ky i fundit. Sqaroj se ata i janë ankuar Z. Bedri Rryta se nuk donin të punonin me mua dhe kërkonin të punonin drejtpërdrejt me të. Deklaroj se as unë dhe as Z. Bedri Rryta nuk kemi marrë ndonjëherë përfitime prej tyre. Sipas dijenisë sime, Z. Bedri Rryta ka deklaruar më pas se do të punonte vetëm me Z. Andis Papa dhe se me Z. Ermal Beqiri nuk donte të kishte më marrëdhënie.



