
Një ngjarje e rëndë është denoncuar në komisariatin e policisë në Kalamata të Greqisë, ku protagonistë janë një çift shqiptarësh. Sipas mediave greke, një 33-vjeçare shqiptare ka denoncuar burrin e saj, nën akuzën se e ka përdhunuar për 13 vjet me radhë. Po ashtu, ajo ka thënë se është torturuar nga burri i saj përgjatë gjithë këtyre viteve, ndërsa gjithashtu ai akuzohet se ka ngacmuar seksualisht edhe vajzën e tij. Ky abuzim, sipas 33-vjeçares është kryer të paktën në tri raste, njëra prej të cilave kur ishte vetëm tetë vjeç.
Rasti i rëndë i abuzimit në familje u zbulua në Kalamata , pasi gruaja shqiptare u ankua në polici për ferrin që përjetoi gjatë gjithë këtyre viteve që ishte e martuar me 38-vjeçarin me të cilin ajo ka edhe një vajzë.
Prokurori i Gjykatës së Shkallës së Parë në Kalamata tashmë ka akuzuar autorin e dyshuar për veprat e përdhunimit, veprimet seksuale me të mitur, abuzimin e fëmijëve, marrëdhëniet seksuale midis të afërmve, dhunën në familje dhe dëmtimet trupore. Ndërkohë, po bëhet përpjekje për nënën dhe vajzën e saj përmes Prokurorisë, në mënyrë që ata të kenë mbështetjen e duhur psikologjike dhe të mos kthehen në atdheun e tyre.



