Policia e Shtetit ka zbuluar dhe goditur tre raste të ushtrimit të paligjshëm të lojërave të fatit në Milot dhe Laç, duke arrestuar tre persona, proceduar penalisht një tjetër dhe shpallur në kërkim një të pestë.
Operacioni i koduar “Rastet”, i finalizuar pas informacioneve të siguruara nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, çoi në zbulimin e ambienteve të përshtatura për lojëra fati me makineta dhe tavolina pokeri. Njëri prej tyre dyshohet se përdorej edhe për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Gjatë kontrolleve u sekuestruan 15 makineta, 3 tavolina pokeri, sasi kokaine e ndarë në doza, shuma parash dhe sende të tjera që shërbenin për këtë veprimtari të kundërligjshme.
Në Laç, në një lokal në pronësi të një 61-vjeçari të proceduar, i cili dyshohet se bashkadministrohej nga dy të rinjtë e arrestuar (21 dhe 33 vjeç), policia gjeti 8 makineta, 2 tavolina dhe lëndë të dyshuar narkotike.
Ndërkohë, në Milot u arrestua një 45-vjeçar, në lokalin e të cilit u konstatuan pajisje për lojëra fati. Po në këtë zonë u shpall në kërkim një 31-vjeçar, pasi në ambientin e tij u zbuluan makineta dhe tavolina pokeri.
Policia bën me dije se kontrollet kundër kësaj veprimtarie të paligjshme do të vijojnë në të gjithë vendin, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Lezhës për veprime të mëtejshme.



