
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit P. Ç., 46 vjeç, A. B., 61 vjeç dhe A. L., 58 vjeç, të tre banues në Gjirokastër, me detyrë “Përgjegjës” në Sektorin e Mirëmbajtjes pranë Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare.
Ata dyshohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Veprimet procedurale u kryen pasi më datë 03.03.2026, rreth orës 13:30, në lagjen “Zinxhira”, gjatë punës për pastrimin e një objekti, një punonjës 55 vjeç dyshohet se ka rënë aksidentalisht nga kati i dytë i godinës. Aktualisht, ai ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Në lidhje me këtë rast është shpallur në kërkim edhe Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Komunitare, shtetasi A. O., 54 vjeç, banues në Gjirokastër, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Sipas njoftimit, ai nuk është paraqitur për të dhënë shpjegime dhe për të vënë në dispozicion dokumentacionin e nevojshëm për hetimin e plotë të rastit.
Gjithashtu, për ngjarjen është njoftuar edhe Inspektorati i Punës.
Policia bën me dije se vijon puna për dokumentimin e plotë të përgjegjësive të personave të përfshirë në këtë ngjarje.



