Një prej të dënuarve të grupit “Lazarati II” është futur në grevë urie. Arbion Aliko, aktualisht nën regjimin 41 Bis për shkak të rrezikshmërisë së lartë, refuzon ushqimin. Burimet i thanë TvT se Aliko është zhvendosur në spitalin e burgut, ku refuzon edhe serumet. Shkak për grevën e urisë, sipas burimeve, është mospajtimi i Alikos me këtë regjim dhe kushtet në të cilat ndodhen ata të burgosur që janë bërë subjekt i tij.
Arbion Aliko është dënuar me burgim të përjetshëm.
Ai ka qenë pjesë e një grupi prej 11 personazh, të cilët u gjykuan dhe u dënuan për ngjarjen e ndodhur në Lazarat në vitin 2014, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha.
Për këtë ngjarje u dhanë dy dënime të përjetshme (Arbion Aliko dhe Bajram Boçi) dhe nëntë të tjera me burgim që niste nga 9 deri në 35 vjet.
Me vendim të Ministrisë së Drejtësisë, Aliko është zhvendosur nën regjimin 41 Bis në korrik të këtij viti, krahas të dënuarve të tjerë si Emiljano Shullazi, Blerim Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Genci Balla, Endrit Zela.
Regjimi 41 Bis, një risi e aplikuar në Shqipëri vitin e fundit, është në thelb izolimi special i të burgosurve që kanë potencialin për t’i drejtuar aktivitetet kriminale nga qelia. Të burgosurit që janë subjekt i këtij regjimi i kanë të kufizuara në maksimum komunikimet me jashtë, përfshirë edhe familjarët.



