
Një 34-vjeçar shqiptar është dënuar nga gjykata franceze, nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike. Antonio H., është kapur teksa transportohnte një sasi prej 17 kilogramë kanabis.
Pas arrestimit, ai u dënua me 8 muaj burg dhe ndalimin e hyrjes në territorin francez për 10 vitet e ardhshme. I riu nga Tirana do të paguajnë edhe një gjobë prej 28 mijë eurosh, një shumë më e vogël kjo se ajo që kishte kërkuar prokurori, 85 mijë euro në total.
Por si ra në prangat e policëve francezë i riu shqiptar? Mediat vendase shkruajnë se 34-vjeçari u pikas në autostradën “A1”. Pas kontrollit në automjetin e tij, efektivët gjetën në bagazhin e automjetit 25 pako me kanabis. 34-vjeçari u tha policëve se kishte ardhur nga Spanja, ku dy persona e kishin punësuar për transportimin e mallit në Belgjikë.
Shqiptari refuzoi të japë emra, por i tha policisë se për këtë “punë” ai do të paguhej 2500 euro. Ai tha se e kishte të vështirë ta refuzonte këtë ofertë, pasi kishte hasur vështirësi për të gjetur punë.



