
Gjak dhe shkrime në mure. Kjo është mënyra e protestës së dikujt kundër xhamisë që po ndërtohet në Grenchen, Zvicër, ku jeton një komunitet shqiptarësh.
Sipas medias lokale, Grenchen Tagblatt, muret dhe dyshemeja e xhamisë në ndërtim e sipër, pak javë më parë janë spërkatur me gjak derri, ndërsa në muret e jashtme ishte shkruar “Shit islam”.
Por këto nuk janë aktet e para të vandalizmit ndaj vendit të ardhshëm të lutjeve të besimtarëve msylimanë.
Gjashtë vjet më parë, në truallin ku pritej të niste ndërtimi, u gjetën katër koka derrash. Në atë kohë, në një letër anonime u tha se trualli ishte lagur me 120 litra gjak derri, një gjest që kishte për qëllim përhapjen e “islamizimit të Zvicrës”.
Komuniteti Islamik Shqiptar e ka dënuar këtë akt. “Janë gjëra shqetësuese. Sidomos kur duhet të mendosh se çfarë do të ndodhë kur xhamia të përfundojë. Do të bëhet edhe më keq”, thotë zëdhënësi Isa Ismaili.
Ai dyshon se autorët e këtyre akteve janë njerëz “që nuk kanë kontakte të drejtpërdrejta me myslimanët, por i kanë krijuar bindjet e tyre thjesht duke parë lajmet e kronikës”.
Ndërkohë, policia bashkiake e qytetit Grenchen nuk mund të konfirmojë nëse autorët e sulmeve vandale janë ata të 6 viteve më parë. Komandanti Christian Ambühl thotë “njerëzit kanë frikë se xhamia mund të tërheqë njerëz të radikalizuar”. Sipas Ambühl , i takon bashkësisë myslimane të marrë masa. “Për projektet e tyre të ardhshme dihet pak. Ata nuk janë shumë të disponueshëm për të komunikuar”, thotë ai.



