Policia e Kosovës ka hartuar një plan operativ pas paralajmërimeve nga i ashtuquajturi “Këshill Organizativ për Bllokada”, për bllokim rrugësh që çojnë në pikëkalimet kufitare Merdar, Jarinjë dhe Bernjak.
Kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviç, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës.
Mediat serbe raportojnë se Rojeviç ka thënë se bllokada do të organizohet nga shoqatat vendase të qytetarëve nga Kosova dhe se katër nga pesë vendkalimet kufitare nga drejtimi i Serbisë qendrore dhe Malit të Zi do të bllokohen.
Bllokada do të fillojë në orën 18:00 dhe do të zgjasë derisa të tërhiqen forcat policore të Kosovës nga veriu i Kosovës.
Gjithashtu kërkojmë që KFOR-i të merr kontrollin e veriut të Kosovës.
Do t’i bllokojmë vendkalimet kufitare në Bërnjak, Jarinjë, Merdarë dhe atë në Kullë. Vendkalimi në Konçul nuk do të bllokohet tani për tani.
Sipas tij, bllokadat do të zgjasin derisa të plotësohen kërkesat e qytetarëve.
Nga ky këshill ndërkohë kërkojnë tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga katër komunat e veriut, kthimin e serbëve në institucione dhe që veriu i Kosovës të kontrollohet nga KFOR-i.
Lidhur me këtë, nga Policia e Kosovës, në veri, kanë thënë se, si çdo herë, edhe tani kanë plan veprimi.
Zëvendësdrejtori i Policës për rajonin e veriut, Veton Elshani, ka thënë se sipas informacioneve, bllokimi i këtyre rrugëve në Serbi, nëse ndodh, pritet të fillojë në orën 18:00.
Në anën tjetër, institucionet e Kosovës kanë paralajmëruar qytetarët që të kenë kujdes gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi dhe të shmangin të gjitha hyrjet dhe daljet mes Kosovës e Serbisë.
Po ashtu, Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar, ka publikuar numrat kontaktues në rast të ndonjë pengese të shkaktuar nga kjo bllokadë.



