
Reshjet e shiut të ditëve të fundit, si edhe ato të 24 orëve të fundit, vijojnë të shkaktojnë probleme në infrastrukturën rrugore të qarkut të Gjirokastrës.
Kështu raporton për “MCN Live” korrespondentja nga Gjirokastra, Jonida Qirko.
Reshjet e shiut të ditëve te mëparshme vijojnë te sjellin probleme në infrastrukturën rrugore.
Sipas informacioneve nga terreni, janë evidentuar problematika në njësitë administrative Picar, Çepë dhe Lunxhëri.
Në njësinë administrative Picar, rruga Kolonjë–Golem ka pësuar rrëshqitje dherash gjatë këtyre ditëve, ndërsa kontraktorët ndodhen në terren për të shmangur bllokimet dhe për të garantuar qarkullimin.
Probleme vazhdojnë të ketë edhe në rrugën e Fushbardhës, në njësinë administrative Çepë, ku grupet e bashkisë së Gjirokastrës po punojnë për pastrimin e dherave dhe hapjen e aksit.
Një situatë më e vështirë paraqitet në urën e Glinës në Dropull, e cila kërkon ndërhyrje të specializuar. Aktualisht ndërhyrja nuk është e mundur për shkak të prurjeve të larta të lumit Drino.
Ndërkohë, për të garantuar lëvizjen e banorëve të zonës së Libohovës, është hapur një rrugë alternative në aksin Glinë-Nepravisht.
Problematikë është raportuar edhe në Bashkinë e Finiqit, ku është çarë asfalti në segmentin e Rrugës Kombëtare “Syri i Kaltër”, Bistricë.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe punimet në terren për normalizimin e situatës.



