
Policia e Shtetit ka informuar qytetarët për një skemë mashtrimi online, ku persona të paidentifikuar kanë krijuar faqe interneti të rreme, të ngjashme me faqen zyrtare të institucionit, me qëllim përfitimin e paligjshëm financiar.
Sipas njoftimit zyrtar, këto faqe dhe mesazhe shpërndahen përmes SMS-ve dhe e-maileve të falsifikuara, duke u paraqitur si njoftime nga autoritetet shtetërore për pagesa gjobash të pretenduara për shkelje të qarkullimit rrugor, kryesisht për tejkalim shpejtësie.
Policia e Shtetit sqaron se këto mesazhe nuk janë të dërguara nga institucionet shtetërore dhe përbëjnë një skemë mashtrimi.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të mos klikojnë apo kryejnë pagesa përmes linkeve të dyshimta, si dhe të verifikojnë çdo njoftim vetëm përmes kanaleve zyrtare.
“Autorët kanë përdorur teknika të sofistikuara për të mashtruar qytetarët dhe për t’i orientuar drejt faqeve të rreme, ku u kërkohet vendosja e të dhënave bankare. Qëllimi i kësaj skeme është vjedhja e të dhënave bankare dhe më pas përvetësimi i fondeve nga llogaritë e qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit i bën thirrje qytetarëve për kujdes maksimal si të mos klikojnë në linke të dyshimta të ardhura përmes SMS apo platformave të tjera, të mos vendosin asnjëherë të dhënat e tyre bankare në faqe të pa verifikuara si dhe të verifikojnë çdo gjobë vetëm në kanalet zyrtare.
Qytetarët mund të kontrollojnë gjobat: në portalin zyrtar e-Albania: https://e-albania.al/eAlbaniaServices/UseService.aspx…
“Në rast se keni vendosur të dhënat bankare në faqe të dyshimta: Kontaktoni menjëherë bankën tuaj për të bllokuar kartën/llogarinë dhe për të marrë masat përkatëse si dhe denonconi rastet pranë Policisë së Shtetit. Strukturat ligjzbatuese janë duke punuar për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve”, tha Policia e Shtetit.



