
Policia e Korçës ka finalizuar me sukses një operacion antidrogë, duke arrestuar shtetasin Petrika Treska, 34 vjeç, i cili ishte në kërkim për shpërndarje të lëndëve narkotike në qytet.
Sipas njoftimit zyrtar, Forca e Posaçme "Shqiponja", në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, kanë ushtruar kontroll në një automjet ku dyshohej se udhëtonte i dyshuari.
Gjatë kontrollit fizik dhe atij në automjet, u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, e ndarë në doza dhe e gatshme për shitje.
Në vijim të operacionit, Policia ka ushtruar kontroll edhe në dy banesa të përdorura nga 34-vjeçari, ku janë gjetur dhe sekuestruar sasi të tjera kokaine dhe kanabisi.
Nga hetimet rezulton se i arrestuari shiste kokainë dhe kanabis në lagje të ndryshme të Korçës, si dhe në ambiente publike dhe lokale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, Treska u arrestua në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia njofton se, në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.



