
Goditet një rast i shpërndarjes së dozave të drogave të forta në Durrës, duke u vënë në pranga një 39-vjeçar dhe proceduar në gjendje të lirë një 17-vjeçar. Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të DVP Durrës, gjatë kontrollit të territorit, për garantimin e rendit dhe sigurisë, kanë ndaluar në zonën e quajtur “Pranvera”, automjetin me të cilin qarkullonin dy shtetas që dyshohej se shpërndanin lëndë narkotike në doza. Gjatë kontrollit fizik, drejtuesit të automjetit, shtetasit M. K., dhe pasagjerit, shtetasit A. J., iu gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.



