
Është ndarë nga jeta në moshën 70-vjeçare aktori i njohur i humorit, Arben Shaka.
Ai ndërroi jetë si pasojë e COVID-19, ndërsa lajmi është konfirmuar nga familjarë të tij.
Shaka e ka filluar karrierën artistike në vitin 1966, ku interpreton në rolin e shoferit në pantomimën “Shoferi dhe Pasagjeri”.
Ishte 16 vjeç dhe u befasua krejtësisht për suksesin absolut të kësaj pantomime dhe kryesisht në suksesin që arriti në rolin e shoferit.
Në moshën 17-vjecare , nis karrierën profesioniste në skenën e teatrit të Estradës së Tiranës.
Arben Shaka ka patur një fat që e ka ndjekur gjatë 30-viteve të karrierës së tij.
Pjesëmarrja në filma ishte shkas i daljes në skenë me sukses dhe as qe e mendonte që do ta merrnin kaq shpejt për të xhiruar në ndonjë film.
Prirjet e artistit Shaka ishin kryesisht për pantomimën aktoriale dhe kupletet muzikore.
Arben Shaka u bë i suksesshëm edhe në Cirkun dhe Estradën e Tiranës.
Në shtator të vitit 1998 ashtu si shumë shqiptarë edhe ai largohet së bashku me familjen për të emigruar në Greqi.
Për herë të parë merr pjesë në një film në vitin 1969 tek “Perse bie kjo daulle” dhe në vitin 1972 tek “Odiseja e tifozëve”.
Filmi “Cirku në fshat” (1977), ku luante Arben Shaka në rolin e Agronit, ishte suksesi kryesor i karrierës së tij artistike.



