
Prokuroria e Korçës ka nisur procedimin penal në ngarkim të tre punonjësve të komisariatit në këtë qytet. Sipas informacioneve, mësohet se shkak për hetimin e tre efektivëve është bërë një video në rrjetin social “Tik-Tok”, ku bullizohej një shtetas në kohë pandemie, i cili ishte shoqëruar në automjetin e policisë për masat kundër Covid-19.
Atë kohë, punonjësit e policisë e kanë shoqëruar për mungesën e maskës dhe më pas e akuzonin për vjedhje të riun. Policët i kanë thënë se ka vjedhur gjithë Korçën dhe është numri 1 që kërkohet për vjedhje.
Gjithë biseda e regjistruar më pamje, është publikuar gjatë ditëve të fundit në rrjete sociale. I riu ka bërë kallëzim pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe këtë të martë ka nisur edhe hetimi ndaj punonjësve të policisë.



