
Një person është plagosur me armë zjarri mbrëmjen e sotme në zonën e ish-Bllokut në Kryeqytet. Ngjarja ka ndodhur tek pallatet “Agimi”, ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Ilir Shkurti, 32 vjeç.
Ky i fundit ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa mësohet se ka marrë një plumb në këmbë. Ai është dërguar menjëherë në spital, ndërsa policia ka mundur të vërë në pranga autorin e dyshuar.
“Në kohë rekord u bë bllokimi i mjetit tip ‘Benz’ i cili u përdor nga autorët për t’u larguar, dhe u shoqërua në ambientet e Policisë për veprime të mëtejshme njëri prej autorëve të dyshuar të ngjarjes”, njoftoi policia.
Mbeten të paqarta rrethanat e ngjarjes. Nuk dihet nëse ka qenë ndonjë konflikt mes disa personash që degradoi me përdorimin e armëve, apo një atentat i mundshëm.
Njoftimi i Policisë:
Falë reagimit të menjehershëm të shërbimeve të Policisë në kohë rekord u bë e mundur kapja dhe arrestimi i njërit prej autorëve të plagosjes me armë të një shtetasi si dhe bllokimi i mjetit me të cilin autorët u larguan nga vendi I ngjarjes.
Rreth orës 19:00, në vendin e quajtur “Shallvaret” në afërsi të një bar-kafeje, dyshohet se pas një konflikti të çastit është plagosur me armë zjarri shtetasi I. Sh, 32 vjeç, i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.
Si rezultat i reagimit të menjehershëm të sherbimeve të Policisë në kohë rekord u bë kapja dhe shoqërimi në ambientet e Policisë për veprime të metejshme i njërit prej autorëve të dyshuar të ngjarjes shtetasit K. M, 38 vjeç dhe bllokimi i mjetit tip “Benz” që u përdor nga autorët për t’u larguar nga vendi i ngjarjes.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorit tjetër të ngjarjes i cili ka mundur të zbresë nga automjeti dhe të largohet në brendësi të pallateve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj.



