
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj me anë të një letre drejtuar kreut të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, kërkon ndalimin e praktikës së ashtuquajtur ‘postblloqe policore’ në akset e vendit, si dhe heqjen e praktikës së dublimit të semaforëve me punonjës policie, në kryqëzimet e rrugëve urbane. Në shkresën zyrtare, ministri Lleshaj evidenton gjithashtu edhe probleme që lidhen me gjendjen e rrugëve, me kulturën e përgjithshme të përdoruesve të saj, e në këto kushte, ministri kërkon ndërhyrje për ndryshimin e menjëhershëm të situatës.
"Prania e postblloqeve policore u jep rrugëve një pamje jo normale, të ndryshme nga ato të vendeve europiane dhe krijon përshtypjen e gabuar të një policie shumë të madhe, teksa raportet e numrit të policëve për frymë në vendin tonë janë më të ulëtat në rajon. Me qëllim që të përmirësohet më tej niveli i sigurisë në qarkullimin rrugor, kërkoj që të merren masa të shpejta dhe të plota për të zbatuar gjithnjë e më shumë patrullimin në vend të postblloqeve në akset rrugore të vendit”.
Po ashtu, në shkresën e ministrit të Brendshëm kërkohet edhe shmangia e punonjësve të Policisë Rrugore, që dublojnë semaforët. Kjo praktikë, sipas Lleshajt, ndikon në edukimin e gabuar të përdoruesve të rrugës, në raport me rregullat e qarkullimit rrugor. Policia e Shtetit pritet të aplikojë së shpejti një plan në fushën e qarkullimit rrugor, me futjen e teknologjisë bashkëkohore, përfshirë sensorët e dronët që do të ndihmojnë në mirëmenaxhimin e qarkullimit rrugor. Po ashtu është parashikuar edhe projekti për dërgimin e gjobave nëpërmjet Postës, në adresë të shoferëve shkelës.



