
Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale në vitin e tretë të punës së saj, ka bërë të ditur se statusi i viktimës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë u është njohur mbi 940 personave.
Nga numri i përgjithshëm, gjithsejtë një mijë e 290 raste të trajtuara nga Komisioni për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, 35 prej tyre janë raste të burrave të cilëve u është njohur statusi i viktimës së dhunës seksuale, ka njoftuar kryetarja e Komisionit për Verifikimin e Statusit të Viktimave të Dhunës Seksuale, Minire Begaj, sipas të cilës numri i aplikimeve ka arritur mbi një mijë e 400.
“Kemi numër total të 1463 aplikimeve. Për këtë vit, kemi 70 aplikacione. Prej tyre, të trajtuara deri më tani, u kemi njohur statusin 943 rasteve. Komisioni përfundimisht i ka trajtuar 1290 raste. Brenda këtij numri kemi edhe prej tyre të refuzuara, prej tyre 35 raste burrave u kemi njohur statusin e viktimës së dhunës seksuale”, ka deklaruar ajo në një intervistë për mediat në Kosovë.
Trajtimin e këtyre rasteve, Begaj e ka konsideruar si të vështirë për shkak mos posedimit të dokumentacionit të kërkuar nga komisioni.
Sipas saj, kalimi i dy dekadave me radhë është problem në vete për shqyrtimin e rasteve.
Po ashtu, ajo ka potencuar se ka pasur raste të cilat janë trajtuar edhe për të gjashtën herë, me qëllim që të mos arrihet deri të refuzimi.
“Mbi 50 për qind të lëndëve ndoshta pesë herë, gjashtë herë, i kemi trajtuar. Me të vetmin qëllim që mos të shkohet në përfundim të një refuzimi. Por në rrethana të caktuara gjithë atë proces që ne e kemi ndjekur, vjen deri në përfundim që me të vërtetë për një rast të caktuar ne e refuzojmë sepse komisioni nuk ka arritur të bindet me gjithë atë procesin administrativ që e kemi ndjekur”, ka deklaruar Begaj.
Megjithatë, kanë mbetur edhe dy vjet deri në mbylljen e afatit për parashtrimin e kërkesave për njohjen dhe verifikimin e statusit të viktimës së dhunës seksuale.
Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës, zyrtarisht punën e ka filluar në shkurt të vitit 2018.



