
Një 21-vjeçar nga Kosova është vënë në pranga në doganën e Morinës, pasi tentoi të korruptonte punonjësit e policisë kufitare.
Sipas policisë, B.Th., synonte të kalonte kufirin me një motomjet që dyshohet se ishte i trafikuar.
Gjatë kontrollit rutinë, shërbimet e Policisë i kanë kërkuar të riut të paraqesë dokumentet përkatëse të motomjetit.
Por për të shmangur verifikimin e dokumenteve, ai ka tentuar të korruptojë punonjësit e policisë, duke u dorëzuar një dokument mjeti, së bashku me një kartëmonedhë me prerje 50 euro.
Nga verifikimi rezultoi se ai kishte dorëzuar një dokument që i përkiste një motomjeti tjetër, i ndryshëm nga motomjeti që drejtonte.
Në përfundim të veprimeve hetimore, 21-vjeçari u arrestua në flagrancë për veprat penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Motomjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, të cilat i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.



