
Sot në Drenicë të Kosovës shënohen 23 vjetori i masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër të Drenasit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Poklek të vjetër dhe Çikatovë të Drenasit janë ende të njoma plagët nga gjenocidi i Serbisë.
23 vjet më parë forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe, vranë dhe masakruan 77 shqiptarë civilë të paarmatosur. Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha.
Ai ka theksuar se pasi i vranë trupat e viktimave të masakrës së Poklekut, i dogjën bashkë me shtëpitë.
Ndërsa trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë.
Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra.
Në 23 vjetorin e masakrës së Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër, Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në kompleksin memorial në Poklek dhe Çikatovë të Vjetër.
Osmani gjatë këtyre homazheve ka thënë se kjo masakër që është kryer nga forcat serbe tregon qartë qëllimin e regjimit serb për shfarosjen e popullit shqiptar.
Ajo ka shtuar se Kosova asnjëherë nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.
Nga ana e tij, kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, ka theksuar se kjo masakër është një nga më barbaret që ka bërë Serbia mbi popullin e Kosovës.
Sipas tij, edhe pas 23 vjetësh që kur ka ndodhur kjo masakër, drejtësia nuk është vënë në vend, ndërsa kriminelët enden të lirë nëpër Serbi.
Në masakrën e fshatrave Poklek i Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër komuna e Drenasit, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeçarë.
Në mesin e 54 të vrarëve në Poklek, 24 ishin fëmijë nga mosha gjashtë muaj e deri në 17 vjeç.



