Një efektiv policie i cili i kërkoi para një personi për të nxjerrë një makinë nga pika e bllokimit, është vënë në prangat e policisë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore Rajoni Durrës- Kavajë në bashkëpunim me SPAK arrestuan në flagrancë punonjësin e policisë G. H., me detyrë Trupë Shërbimi i Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Arrestimi në flagrancë u realizua pas veprimeve me metoda speciale të hetimit, ku u arrit të provohej se punonjësi i policisë duke shfrytëzuar funksionin organik në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar dhe i ka marrë shtetasit E.S., një shumë prej 60 000 lekë të reja, të sekuestruara në cilësinë e provës materiale, duke i premtuar në këmbim që do ti nxirrte mjetin nga pika e bllokimit, si dhe mosvendosjen e masës administrative.



