Gjykata e Posaçme ka nisur gjykimin ndaj të pandehurit Blendi Teta, i akuzuar për vrasjen e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko. Ndaj Blendi Tetës janë ngritur akuzat për “vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Ndërkohë, për vrasjen e Malkos akuzohen edhe 8 persona të tjerë të shpallur në kërkim që prej një viti.
Konkretisht, policia ka shpallur në kërkim për ngjarjen Leonard Dukën, Erlis Dukën, Ilir Selmanin, Oltian Logën, Fatmir Hysenin, Dritan Agajn, Aleksandër Maxhakun dhe Xhoni Nicën. Emrat e mësipërm kanë dalë nga dëshmia e Blendi Tetës, i cili ka pretenduar se nuk ka qenë pjesë e planit të vrasjes dhe kur e ka kuptuar çdo ndodhte është larguar, megjithatë nga hetimet rezulton si i përfshirë.
Gjykata ka ndarë çështjen për 8 personat e tjerë, ndërsa Blendi Teta do të jetë iI vetëm në bankën e të akuzuarit. Blendi Teta është arrestuar në lidhje me vrasjen e Santiago Malkos, në 27 gusht 2019.



