Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës ka finalizuar një tjetër operacion të koduar "Gjuetari", ku u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Klodjan Domi, 46 vjeç, banues në lagjen nr. 13, Durrës. Ai dyshohet për një seri veprash penale si “Shfrytëzimi i prostitucionit”, “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, “Trafikimi i personave të rritur”, “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.
Domi dyshohet se ka futur ilegalisht një shtetase ruse në Shqipëri dhe e ka shfrytëzuar për prostitucion, duke i krijuar kushte për ushtrimin e këtij aktiviteti të paligjshëm.
Nga veprimet hetimore të kryera u bë i mundur dokumentimi i shfrytëzimit të prostitucionit të 20-vjeçares nga Rusia, pasi rezultoi se 46-vjeçari e ka dhunuar fizikisht dhe e ka shfrytëzuar në fushën e prostitucionit në hotele të ndryshme, me persona të ndryshëm, kundrejt vlerave monetare që varionin nga 250 deri në 300 euro për person. Këto vlera monetare i përfitonte shtetasi K. D.
Po nga hetimet rezulton se kjo shtetase është trafikuar nga shtetasi K. D., në tetor 2023, kur është futur ilegalisht në Shqipëri nga Podgorica.
Në kuadër të operacionit u shpall në kërkim shtetasi E. S., 39 vjeç, banues në Durrës, i dyshuar si i implikuar në këtë rast për prostitucion.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë pranë Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.



