
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, i DVP Korçë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Maliq, finalizoi operacionin policor të koduar "Aksi 2", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi A. B., 36 vjeç, banues në Tiranë.

Ky shtetas është lokalizuar nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor "Maliq-Gramsh", gjatë kohës që transportonte me automjetin tip "Ford", në drejtim të Tiranës, kundrejt pagesës, 4 emigrantë nga Vendet e Treta, që kishin synim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Në momentin që ka konstatuar punonjësit e Policisë, shtetasi A. B. ka tentuar t’i largojë emigrantët, nga automjeti, por është kapur dhe ndaluar bashkë me ta.
Sekuestrohen automjeti me të cilin po transportoheshin emigrantët dhe një celular.
Vijon puna për kapjen e shtetasit E. H., 41 vjeç, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë.



