
Një 28-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane, pasi dyshohet se ka keqtrajtuar dhe kërcënuar nënën e tij. Sipas mediave italiane, i riu shqiptar, banues në Umbertide, dyshohet se ka sulmuar disa herë nënën e tij dhe e detyronte atë që t’i plotësonte kërkesat e vazhdueshme për para.
Një muaj më parë nëna e tij iu drejtua Karabinierëve për të bërë një denoncim, pasi djali e kishte kërcënuar me vdekje, sepse ajo nuk i kishte dhënë para. Ai gjithashtu kishte shkatërruar shtëpinë duke thyer mobiljet dhe elektroshtëpiaket. Vetëm falë policisë ishte e mundur të shmangeshin pasoja më të rënda.
I riu u arrestua, por grupi i Gjykatës së Perugias vendosi të lehtësojë masën shtrënguese duke e urdhëruar të riun të largohej nga shtëpia e familjes dhe të mos afrohej më me nënën e tij. Nga hetimet e mëpasshme të karabinierëve, rezultoi se kërkesat për para dhe keqtrajtimi vazhdonin prej disa kohësh, me sulme të vazhdueshme dhe qëndrime të dhunshme.



