
Tentuan të vidhnin në një subjekt minerar në Bulqizë, vihet në pranga një person, shpallet në kërkim një tjetër.
Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasin Basri Biçi, 33 vjeç, si dhe kanë shpallur në kërkim shtetasin Indrit Vucaj, 28 vjeç, të dy banues në Bulqizë, pasi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të vjedhin disa mjete pune në pronësi të një subjekti minerar, në zonën e Martaneshit.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Basri Biçi, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, dy kapsolla detonatore dhe disa vegla pune, të dyshuara të vjedhura më parë nga ky shtetas.
Aktualisht vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit tjetër të shpallur në kërkim.
Ndaj të dyshuarve materialet iu referuan Prokurorisë Dibër, për veprat penale “Vjedhja”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.



