Dy persona janë vënë në prangat e policisë së Fierit, të dyshuar se ndanin në doza kokainë dhe kanabis në banesë, duke e bërë gati për ta shitur.
Pas disa muajsh hetime të kryera në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Fier, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DPPSH Tiranë, finalizoi operacionin e koduar “Procesi”, si rezultat i të cilit u kapën në flagrancë duke shitur lëndë narkotike, në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe u vunë në pranga shtetasit
S. I., 23 vjeç dhe R. O., 28 vjeç, banues në Fier.

Gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, shërbimet e policisë kanë gjetur dhjetëra doza të lëndëve narkotike të dyshuara narkotike kanabis sativa dhe kokainë, të cilat u sekuestruan së bashku me një peshore elektrike, një grirëse bimore, një thikë dhe 4 celularë, që shërbenin për këtë veprimtari të paligjshme.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë narkotike kanabis sativa dhe kokainë, i ndanin në doza në banesat e tyre dhe i shitnin në lagje të ndryshme.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. I., 42 vjeç, banues në Fier, pasi dyshohet se ka patur dijeni për këtë veprimtari kriminale.
Aktualisht vijojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.



