Reshjet e shiut dhe era e fortë gjatë natës kanë shkaktuar sërish defekte në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike në zonat malore të Bashkisë Pogradec, duke lënë pa drita të paktën nëntë fshatra.
Sipas informacioneve nga terreni, në njësinë administrative Trebinjë ndërprerja e energjisë ka prekur fshatrat Çezma e Madhe, Çezma e Vogël, Hondisht dhe Llëngë.
Probleme me furnizimin raportohen edhe në njësinë administrative Velçan, ku era e fortë ka dëmtuar përcjellësit e rrjetit elektrik, duke lënë në errësirë fshatrat Bishnicë, Jollë, Velçan, Buzaishtë dhe Shpellë.
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) bën me dije se disa ekipe teknike ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për riparimin e dëmtimeve dhe rikthimin e furnizimit normal.
Kjo është hera e dytë brenda pak ditësh që e njëjta zonë përballet me këtë situatë, pasi edhe rreth një javë më parë banorët mbetën pa energji elektrike për më tepër se 48 orë për shkak të kushteve të motit.
