Një aksident fatal është shënuar ditën e sotme duke i marrë jetën një emigranti shqiptar në Itali, në rrugën Duca d’Aosta në Mignagola, në komunën e Carbonera, Treviso.
Një makinë u përplas me një motor, duke bërë që 39-vjeçari shqiptar Saimir Gjinika, me origjinë nga Durrësi të ndërrojë jetë në spital, si pasojë e plagëve të marra.
Gjinika ishte i martuar dhe kishte një djalë të vogël.
Përplasja ishte jashtëzakonisht e fortë dhe përfshiu një makinë Fiat Punto dhe një motor, të cilat më pas u përplasën me një furgon.
Motoçikleta udhëtonte përmes Duca d’Aosta nga Olmi di San Biagio di Callalta në drejtim të Carbonera, ndërsa makina vinte nga ana e kundërt.
Sipas rindërtimit të parë të ngjarjes, ishte makina ajo që i preu rrugën motoçikletës për të hyrë në parking, duke çuar në përplasjen fatale.
Viktimë mbeti drejtuesi i motorit Saimir Gjinika, i cili banonte në San Biagio di Callata.
Gjinika ishte duke shkuar për të punuar në një firmë e cila ndodhet pranë vendit të aksidentit. Ndërsa një punonjëse njëzet vjeçare e fabrikës De Longhi ishte në drejtimin e makinës dhe ajo ishte rrugës për në punë, kur ndodhi ngjarja.



