
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e sotme në qytetin e Vlorës, ku një 48-vjeçari i është bërë atentat.
Një makinë tip ‘Benz’ me targa AA703 është hedhur në erë nga një sasi e konsiderueshme eksplozivi gjatë kohës që ishte në ecje, ndërsa drejtuesi i automjetit ka pësuar dëmtime të rënda në gjymtyrë.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 16:35 në hyrje të qytetit të Vlorës pranë një karburanti ku automjeti tip Benz ka shpërthyer në ecje. Blutë e qytetit bregdetar, bëjnë me dije se nga hetimet paraprake, kemi të bëjmë me vendosjen e një lënde shpërthyese, e cila është vendosur në pjesën e pasme të automjetit.
"Si pasojë e shpërthimit ka mbetur i dëmtuar shoferi me inicialet Agron Alushaj, 48, vjeç. Ai ka marrë dëmtime pasi nuk mundi të dilte në kohë nga automjeti që shpërtheu në flakë, dhe aktualisht ndodhet në sallën e reanimacionit të Spitalit Rajonal Vlorë. Policia thotë se 48-vjeçari i cili është biznesmen, sapo e kishte marrë makinën nga lavazhi pranë karburantit për të vijuar më tej lëvizjen drejt qytetit të Vlorës", thuhet në njoftimin e policisë.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje duke kryer hetimet në lidhje me zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave.
Nga shpërthimi, janë thyer edhe xhamat e lokalit që ndodhej pranë karburantit dhe lavazhit.
Agron Alushaj mësohet se merrej me biznes ndërtimi dhe ishte pronar i një guroreje në Drashovic.
Po kështu Alushaj është dhe i vëllai i ish-drejtores së Hipotekës së Vlorës, Loreta Alushaj Tozaj.



