Gjykata e Beratit ka shpallur moskompetencë në lidhje me hetimet për drejtorin e AMP-së, duke ja kaluar çështjen Gjykatës së Tiranës.

Sulemjani u paraqit sot në seancë për verifikimin e masës së sigurimit personal “pezullim nga detyra”, e cila mbetet në fuqi.
Sulejmani është nën hetim për shpërdorim detyre lidhur me procedurën e ndjekur në transferimin e oficerëve të policisë gjyqësore, që dyshohet se është kryer në kundërshtim me ligjin.
VENDIMI
- Vazhdimin e masës së sigurimit personal ndalues të “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, e parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim Florian Sulejmani, i datëlindjes 20.12.1977, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë, me detyrë Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat dhe Policia Gjyqësore Berat të zbatojë këtë vendim.
- Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
- Kundër këtij vendimi (i cili sipas nenit 248 i KPP do të depozitohet i arsyetuar brenda 48 orëve) lejohet të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 (pesë) ditëve, afat ky që fillon nga e nesërmja e ditës së njoftimit të këtij vendimi.
- Shpalljen e moskompetencës tokësore të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, në lidhje me çështjen penale me Nr. 179 Regj. Them, Dt.Regj.Them 17.04.2025.
- Dërgimin e akteve Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë si gjykatë kompetente tokësore për gjykimin e kësaj çështjeje. U shpall në Berat, datë 21.04.2025!